Czeslaw Milosz · 28 Mars 2026 · 1 min lexim
Në një farë moshe - Czeslaw Milosz
Deshëm të rrëfenim mëkatet tona por s'kish kush t'i dëgjonte.
Retë e bardha refuzonin t'i pranonin, dhe era
qe tepër e zënë duke shëtitur det më det.
Nuk arritëm t'i bënim tërheqëse as për kafshët.
Qentë, të zhgënjyer, prisnin një urdhër,
një mace, si gjithmonë e pamoralshme, po binte në gjumë.
Një njeri në dukje kaq i afërt
nuk çante krye të dëgjonte gjëra të shkuara.
Bisedat me miqtë mes vodkës a kafes
s'duhen zgjatur përtej shenjës së parë të mërzisë.
Do të ishte poshtëruese të paguash për orë
një njeri me diplomë, vetëm për të të dëgjuar.
Kishat. Ndoshta kishat. Po ç'të rrëfejmë atje?
Se dikur e pandehnim veten për të hijshëm e fisnikë,
Por më pas, në vendin tonë, një zhabë e shëmtuar
hap përgjysmë qepallën e trashë,
dhe bëhet krejt e qartë: "Ky jam unë".
Shqip nga anglishtja: e.xhaja