Fjalgjë
Heraldët e zinj

César Vallejo · 11 Gusht 2025 · 1 min lexim

Ka goditje në jetë, aq të rënda... Ç'të them! 
Goditje si nga urrejtja e Perëndisë; sikur para tyre,
valët e gjithë ç'kemi vuajtur
zënë e gurgullojnë në shpirt... Ç'të them!

 

Janë pak: ama janë... Hapin çarje të errta
në fytyrën më të ashpër dhe në shpinën më të fortë.
Ndoshta mëzat e barbarëve të Atilës janë:
ose heraldët e zinj që Vdekja dërgon.

 

Janë rëniet e thella të Krishtërve të shpirtit
nga ndonjë fe e adhurueshme që Fati e blasfemon.
Ato goditje të përgjakshme janë kërcitjet
e bukës që në derë të furrës na digjet.

 

Ja njeriu... I gjorë... i gjorë! Kthen sytë, ashtu
si kur një dorë e rëndë mbi shpatull i bie;
kthen sytë e zgurdullosur, e gjithë ç'është jetuar
i mblidhet, si pellg faji, në vështrim.

 

Ka goditje në jetë, aq të rënda... Ç'të them!

 

shqip nga: Evi Xhaja

Një interpretim i kësaj poezie në orgjinal mund të dëgjohet këtu.

Shpërndaje këtë shkrim:

Lexo edhe:

Dhuro