Fjalgjë
Dy poezi në anglisht - J.L.Borges
© Willis Barnstone (New Directions Books, 2013)
Jorge Luis Borges · 6 Tetor 2026 · 2 min lexim

 Dy poezi në anglisht - J.L.Borges

 

 

                                                                                    Për Beatriz Bibiloni Webster de Bullrich

 

I


Agimi i kotë më gjen në një qoshe rruge të zbrazët; i mbijetova natës.

Netët janë dallgë krenare: dallgë blu të errëta, të rënda në krye, ngarkuar me gjithë ngjyrat e thella të thesareve të natës, ngarkuar me gjëra thuajse të pamundura dhe të dëshiruara.

Netët kanë zakonin e dhuratave misterioze dhe refuzimeve, e gjërave të dhëna përgjysmë, përgjysmë të mbajtura, të gëzimeve me një hemisferë të errët. Netët kështu sillen, të them unë.

Dallga, atë natë, më la me copëzat e zakonshme, mbeturinat e çuditshme: disa miq
të urryer për të këmbyer dy fjalë, muzikë për ëndrra, dhe tymin e hirit të hidhët. Gjëra që zemrës sime të uritur, si vyejnë.

Dallga e madhe të pruri ty.

Fjalë, çfarëdo fjalësh, e qeshura jote; dhe ti, kaq përtacisht dhe pareshtmërisht e bukur. Folëm
dhe ti i harrove fjalët.

Agimi thërrmues më gjen në një rrugë të shkretë të qytetit tim.

Profilin tënd kthyer mënjanë, tingujt që përbëjnë emrin tënd, melodia e të qeshurës sate: këto janë lojrat e lavdishme që ti më le.

Në agim i marr nëpër duar, i humbas, i gjej; u flas për to disa qenëve endacakë të yjeve and disa yjeve endacake të agimit.

Jeta jote e errët, e pasur...

Duhet të të arrij, doemos: i lë mënjanë ato lojrat e tua të arrira që më ke lënë, dua të shoh shkimin tënd të fshehtë, buzëqeshjen tënde të vërtetë - të vetmuarën, shpotitësen, që veç pasqyra e ftohtë ta njeh.

II

Me se të të mbaj?
Të ofroj rrugët e zhveshura, perëndimet e dëshpëruara, hënën e periferive të rrënuara.
Të ofroj hidhësinë e një njeriu që e ka parë kaq e kaq gjatë hënën e vetmuar.
Të ofroj paraardhësitë e mi, të vdekurit e mi, fantazmat që të gjallët
nderojnë në mermer: atin e tim eti vrarë në kufirin e Buenos Aiersit, dy 
plumba në mushkëri, mjekërgjatë dhe të vdekur, mbështjellë nga ushtarët e tij me lëkurën e një lope; gjyshin e sime mëje - vetëm njëzetekatër vjeç- që printe treqind burrave në Peru, tani fantazma mbi kuaj të zhdukur.
Të ofroj çfarëdo brendie që librat e mi mund të mbartin, çfarëdo burrërie apo humori
në jetën time.
Të ofroj besnikërinë e një njeriu që nuk ka qenë kurrë besnik.
Të ofroj atë bërthamë të vetes, që e kam ruajtur disi - zemrën qendrore që nuk merret me fjalë, që nuk bën tregëti me ëndrra dhe është e paprekur nga koha, gëzimi, fatkeqësitë.
Të ofroj kujtimin e një trëndafili të verdhë parë në perëndim, vite para se të lindje ti.
Të ofroj shpjegime, teori, të reja të padëgjuara dhe befasuese për veten tënde.
Mund të të jap vetminë dhe zymtësinë time, urinë e zemrës sime; po përpiqem të të josh me pasiguri, rrezik, humbje.

 

Shqip: E.Xhaja
Burimi: El Otro, el Mismo (1964)

Shpërndaje këtë shkrim:

Lexo edhe:

Dhuro