Pablo Neruda · 14 Qershor 2026 · 1 min lexim
Diktatorët - Pablo Neruda
Ka mbetur një aromë në mes kallamishteve të sheqerit;
një përzierje gjaku e mishi, një petalë
deportues që provokon të vjellën.
Mes palmave të kokosit varret janë plot
me eshtra të thyera, me gulçime të pazë.
Satrapi sqimatar bisedon
mes gotash, qafash e litarësh ari.
Pallati i vogël shkëlqen si një orë,
dhe të qeshurat e shpejta, me doreza,
përshkojnë korridoret herë pas here
e bashkohen me zërat e të vdekurve
dhe me gojët e mavijosura e të sapo groposura.
Vaji fshihet si një bimë
fara e së cilës bie pandërprerë mbi tokë
dhe në errësirë i rrit gjethet e saj të mëdha e të verbra.
Urrejtja është formuar shkallë më shkallë,
goditje pas goditje, në ujërat e llahtarshëm të kënetës,
me hundën mbushur me llomështi e heshtje.
Shqip: E.Xhaja
Burimi: Poezia në origjinal titullohet "Los Dictadores" dhe është pjesë e koleksionit me poezi "Canto General" .