Fjalgjë
Bluz varrezash - Antonio Gamoneda

Antonio Gamoneda · 18 Mars 2026 · 1 min lexim

Antonio Gamoneda Lobón (1931-) është një poet spanjoll, fitues i Çmimit Cervantes më 2006. Ai konsiderohet nga shumë si poeti më i madh i gjallë në gjuhën spanjolle.

 

Bluz varrezash - Antonio Gamoneda

 

Njoh një fshat -s'kam për ta harruar-
që ka një varrezë tepër të madhe.
Në tokën time ka një fshat pa fat
sepse varreza është tepër e madhe.
Veç dyzet shpirtra ka në fshat.
S'di pse gjithë kjo varrezë.

Në një vit njerëzit nisën të iknin
dhe në shumë shtëpi nuk mbeti askush.
Atë vit që njerëzit nisën të iknin
në shumë shtëpi nuk mbeti askush.
I morën bijët e shtretërit.
U desh t'i vrisnin kafshët.

Varreza tashmë s'ka porta
dhe në të hyjnë e dalin pulat.
Varreza tashmë s'ka porta
dhe në rrugë dalin hithrat.
Ngjan sikur varreza po del
te kopshtet dhe rrugët e zbrazëta.

Njoh një fshat. S'kam për ta harruar.
Ah, në tokën time pa fat,
s'do ta harroj fshatin tim.

Ç'gjë e keqe është të kesh bërë
një varrezë tepër të madhe!

 

Shqip: e.xhaja

Shpërndaje këtë shkrim:

Lexo edhe:

Dhuro