F j a l g j ë

Leonid Pasternak’s portrait of Rilke in Moscow | © Alex Bakharev

Leonid Pasternak’s portrait of Rilke in Moscow | © Alex Bakharev

Poezi nga Ranier Maria Rilke

nga Ranier Maria Rilke

Fqinji

 

Violinë e çuditshme, përse më ndjek?

Në sa qytete të huaja

ke folur për netët e tua të vetmisë

dhe për të miat.

Je luajtur nga qindra duar? Apo veç një e vetme?

 

A thua ka në të gjitha qytetet e mëdha njerëz

që, të mundur dhe në dëshpërim të thellë

do të kërkonin lumin në mos ishe ti?

Dhe përse kënga jote më arrin përherë mua?

 

Përse jam përherë fqinj

i atyre të humburve

të cilët janë të shtrënguar të këndojnë

dhe të thonë: Jeta është pafundësisht më e rëndë

se rëndesa e gjithë gjërave.

 

 

Çfarë mbetet

 

Kush tha se e gjitha zhbëhet?

Kush e di, ndoshta fluturimi

i zogut që plagose ngelet,

dhe ndoshta lulet i mbijetojnë

ledhatimeve tona, në tokën e tyre.

 

Nuk është gjesti ai që mbetet,

por ai të mbath përsëri me pazmore

ari –nga gjoksi te gjuntë-

dhe beteja qe aq e dlirë

sa një Engjëll e vesh pas teje.

 

 

Orë solemne

 

Kushdo që tani vajton diku në botë,

vajton pa arsye në botë,

vajton për mua.

 

Kushdo që tani qesh diku në natë,

qesh pa arsye në natë,

qesh me mua.

 

Kushdo që tani endet diku në botë.

endet pa arsye nëpër botë,

endet drejt meje.

 

Kushdo që tani vdes diku në botë,

vdes pa arsye në botë,

më sheh mua.

 

 

Portret i brendshëm

 

Ti nuk mbijeton në mua

për shkak të kujtesës;

as nuk je e imja prej

fuqisë së një përmallimi të hijshëm.

 

Ajo çfarë të bën të pranishme

është ajo kthinë flakëruese

që një butësi e ngadaltë

ravijëzon në gjakun tim.

 

S’më duhet

të të shoh teksa shfaqesh;

të kem lindur është mjaft

për të të humbur më pak.

 

 

shqip nga anglishtja: e.xhaja

Komente

Mund të lësh një koment këtu:

Pa komente ende!

Pajtohu!