F j a l g j ë

Poezi nga Nazim Hikmet

Poezi nga Nazim Hikmet

nga Nazim Hikmet

Nazim Hikmet (1902-1963) ishte një poet dhe novelist turk. Poezia e tij përbën një shkëputje nga tradita e deri atëhershme osmane. Hikmet ka qenë i përfshirë edhe në politik ku shumë vite i ka kaluar në burg ose në ekzil. Për shkak të aktivitetit politik, librat e tij kanë qenë të ndaluara për shumë vite në Turqi.

 

Krijesa më e çuditshme në tokë

 

Je si akrep, vëllaçko,

jeton në një terr frikaman,

si akrep.

Je si trumcak, vëllaçko,

gjithmonë në drithërimën e një trumcaku.

Je si  guaskë, vëllaçko,

mbyllur si guaskë, i kënaqur,

dhe i frikshëm je, vëllaçko,

si goja e një vullkani të shuar.

 

Jo një,

jo pesë –

fatkeqësisht jeni me miliona.

Je si bagëti, vëllaçko:

kur bariu me gunë ngre shkopin,

ti me të shpejt i bashkohesh tufës

dhe vrapon, thuajse me krenari, drejt thertores.

Dua të them se je krijesa më e çuditshme në tokë –

më i çuditshëm se vet peshku

që nuk e shihte dot oqeanin nga uji.

 

Dhe shtypja në këtë botë

rron fal teje.

Dhe nëse jemi të uritur, të lodhur, mbuluar gjithë gjak,

dhe ende shtypemi si rrushi për verën tonë,

faji është i yti –

mezi më bëhet ta them,

por faji më së shumti, vëllaçko i dashur, është i yti.

 

 

Të dua

 

Të dua

si të ngjyesh bukën në kripë dhe ta hash.

Si të zgjohesh natën me një temperaturë të lartë

dhe të pish ujë, me gojën te rubineti

Si kur hap kutinë e rëndë sjell nga postieri

me asnjë lloj ideje si çka në të

i përndezur, i gëzuar, i mëdyshur.

Të dua

si fluturimi i parë mbi det me avion.

Si diçka që lëviz brenda meje

kur butësisht bie darka në Stamboll.

Të dua

si falenderimi i Zotit që jemi gjallë.

 

 

Mendoj për ty

 

Mendoj për ty

dhe nuhas aromën e sime mëje

sime mëje, më të bukurën ndër të gjitha.

 

Ti je në karuselin e festivalit brenda meje

sillesh rreth e rrotull, fundi dhe flokët të fluturojnë,

veç ndoca çaste mes gjetjes dhe humbjes së fytyrës tënde të bukur.

 

Cila është aryeja,

që të kujtoj si një plagë në zemër,

për ç’arsye e dëgjoj zërin tënd kur je kaq larg

dhe s’mund ta ndal veten të hidhem përpjetë nga ngazëllimi?

 

Ulem në gjunjë dhe shoh duart e tua,

dua t’i prek,

por s’mundem -

ti je pas një xhami.

E dashur, unë jam spektatori i hutuar i dramës

që ngjan në muzgun tim.

 

Pesë rreshta

 

T’ju bishtosh gënjeshtrave në zemër, në rrugë, në libra,

nga ninullat e nënave,

te lajmet që gazetari lexon,

të kuptosh, dashuria ime, se ç’gëzim i madh është,

të kuptosh ç’ka ikur dhe çfarë është udhës.

 

Ti

 

Ti je skllavëria dhe liria ime.

Ti je mishi që digjet si një natë e gjallë vere.

Ti je atdheu im.

Ti je mëndashi i gjelbër në sytë ngjyrë lajthie.

Ti je e madhe, e bukur, dhe triumfuese.

Dhe ti je pikëllimi që nuk ndihet,

sa më shumë që e ndiej.

 

Fytyrat e grave tona

 

Maria nuk lindi Zotin.

Maria nuk është nëna e Zotit.

Maria është një nënë mes shumë nënave.

Maria lindi një djalë,

Një djalë mes shumë djemve.

Prandaj Maria është kaq e bukur në të gjitha pikturat e saj.

Prandaj i biri i Marias është kaq i afërt për ne, siç janë bijtë tanë.

Fytyrat e grave tona janë libri i dhimbjeve tona.

Dhimbjet tona, fajet tona dhe gjaku i derdhur

gdhendin plagë në fytyrat e grave tona si parmenda.

 

Dhe gëzimet tona shëmbëllehen në sytë e grave tona

si agime që shndrisin mbi liqene.

Përfytyrimet tona janë në fytyrat e grave që duam.

Pavarësisht në i shohim apo jo, ato janë para nesh

më afër se çdo realitet dhe po aq më të largëta.

 

Të mendosh për ty

 

Të mendosh për ty është bukur, shpresëdhënës,

është si të dëgjosh këngën më të bukur

nga zëri më i bukur mbi tokë...

Por shpresa nuk është më mjaftueshëm për mua,

nuk dua të dëgjoj më këngë,

dua të këndoj.

 

shqip nga anglishtja: e.xhaja

Komente

Mund të lësh një koment këtu:

Pa komente ende!

Pajtohu!