Poezi nga Fernando Pessoa
nga Fernando Pessoa
Gjallojnë në ne të panumërt
Gjallojnë në ne të panumërt,
nëse mendoj apo ndiej, e shpërfill,
atë që mendon apo ndien.
Nuk jam tjetër veç vendi
ku ndihet ose mendohet.
Kam më shumë se një shpirt.
Ka më shumë unë se në vetë unë.
Megjithatë ekzistoj
shpërfillës ndaj të gjithëve.
I heshtoj: unë flas.
Shtysat e kryqëzuara
të asaj që ndiej apo nuk ndiej
kacafyten për atë që jam.
I shpërfill. Kurrëgjë nuk i diktojnë
atij që e di se jam: shkruaj.
Mos dëshiro, Lidia, të ndërtosh në ‘hapësirën’
Mos dëshiro, Lidia, të ndërtosh në ‘hapësirën’
që e përfytyron si ardhshmëri, as ti premtohesh
nesër. Mos rro në shpresë, por bëhu sot.
Ti vetë je jeta jote.
Mos bëje plane për një të ardhme, se nuk je e ardhme.
Kush e di nëse, mes kupës që zbrazet,
dhe asaj që mbushet, fati nuk ta
vë përpara greminën?
Zotat s’na japin gjë tjetër veç jetës
Zotat s’na japin gjë tjetër veç jetës.
Prandaj le t’i lëshojmë të gjitha ato
që na çojnë
në maja të pafrymëta,
përjetësisht të paçelura.
Të dijmë vetëm të pranojmë,
dhe përsa kohë gjaku na rreh në vena,
le të mos vyshket bashkë me ne
as vetë dashuria; le të zgjatemi,
si qelqurina, të tejdukshëm ndaj dritave,
Ta lëmë të rrjedhë shiu i trishtuar,
veç të vakët si dielli i ngrohtë,
duke pasqyruar paksa.
shqip: e.xhaja
Komente
Mund të lësh një koment këtu:
Pa komente ende!