F j a l g j ë

Një poeti riosh - Mahmoud Darwish

Një poeti riosh - Mahmoud Darwish

nga Mahmoud Darwish

Mahmoud Darwish(1941-2008) ishte një poet dhe autor palestinez i cili konsiderohet si poeti kombëtar i Palestinës. Në 1988 ai shkruan deklaratën e pavarësisë së Palestinës, që ishte një shpallje formale e krijimit të shtetit palestinez. 

 

Një poeti riosh

 

 

Mos u beso skicave tona, harroji
dhe nisja me fjalët e tua.
Sikur të ishe i pari që shkruan poezi
ose i fundit poet.

 

Nëse na lexon ne, mos lejo të bëhesh një zgjatim i ajrit tonë,
por një korrigjim i gabimeve tona 
në librin e agonisë.

 

Mos pyet askënd: Kush jam Unë?
Ti e di kush është nëna jote.
Sa për atin, bëhu vetë ati ytë.

 

E vërteta është e bardhë, shkruaj mbi të
me bojën e një sorre.
E vërteta është e zezë, shkruaj mbi të
me dritën e një mirazhi.

 

Nëse do të dyluftosh me një fajkua
fluturo me të.

 

Nëse bie në dashuri me një grua,
ji ti, jo ajo,
që dëshiron fundin e tij.

 

Jeta është më pak e gjallë sesa e mendojmë, por ne nuk mendojmë
kaq shumë, që të mos lëndojmë mirëqenien e ndjenjave.

 

Nëse e sodit një trëndafil për shumë gjatë
nuk do të luash vendit në stuhi.

 

Ti je si unë, por humnera ime është e qartë.
Ndërsa ti ke rrugë, sekretet e të cilave nuk mbarojnë kurrë.
Ato zbresin dhe ngjiten, zbresin dhe ngjiten.

 

Ti mund ta quash fikjen e rinisë
pjekuri të talentit
ose urtësi. Pa dyshim, është urtësi,
urtësia e një ftohtësie jo-lirike.

 

Një mijë zogj në dorë
s'janë njëlloj me një zog që vesh një pemë.

 

Një poezi në kohë të vështirë
është një lule e bukur në një varrezë.

 

Shembulli nuk arrihet lehtë,
kështu që ji vetvetja dhe tjetër nga vetvetja
përtej kufijve të ushtimës.

 

Zelli ka një datë skadence me afat të zgjatur.
Kështu që mbushu me zjarr për hir të zemrës sate,
ndiqe atë para se të arrish shtegun tënd.

 

Mos i thuaj të dashurës, Ti je Unë
dhe Unë jam Ti, thuaj
të kundërtën: ne jemi dy mysafir
të një teprice, reje të arratisur.

 

Shmangu, sa të mundesh, shmangu nga rregulli.

 

Mos vendos dy yje në një shprehje
dhe vendose dytësoren përbri thelbësores
për të plotësuar ekstazën në ngjitje.

 

Mos u zë besë saktësisë së udhëzimeve tona.
Beso vetëm gjurmët e karvanit.

 

Morali është si një plumb në zemrën e poetit,
një urtësi vdekjeprurëse.
Ji i fortë si demi kur zemërohesh,
i brishtë si bajamja e lulëzuar
kur dashuron, dhe hiçgjë, hiçgjë
kur i këndon vetes në një dhomë të kycur.

 

Udha është e gjatë si nata e një poeti të lashtë:
fusha dhe kodra, lumenj dhe lugina.
Ec sipas masës së ëndrrës sate: ose një zambak
të ndjek, ose trekëmbëshi.

 

Detyrat e tua nuk janë ato që më shqetësojnë.
Shqetësohem për ty nga ata që vallëzojnë
mbi varret e fëmijëve të tyre,
dhe nga kamerat e fshehura
në kërthizat e këngëtarëve.

 

S'do më zhgënjesh,
nëse u ikën të tjerëve, qoftë dhe mua.
Ajo çka nuk më përngjan, më është më e bukur.

 

Tani e tutje, roja jote e vetme është një e ardhme e lënë pas dore.

 

Mos mendo, kur të shkrihesh në pikëllim
si lotët e qiririt, se kush do të të shohë
apo kush do të ndjekë dritën e intuitës sate.
Mendo për veten: është kjo e gjithë unë?

 

Poezia është përherë e paplotë, fluturat e bëjnë të tërë.

 

Asnjë këshillë për dashurinë. Është veç përvojë.
Anjë këshillë për poezinë. Është veç talent.

 

Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme: Selam.

 

Shqip nga anglishtja: e.xhaja

Komente

Mund të lësh një koment këtu:

Pa komente ende!

Pajtohu!