Mundësitë nga Wisława Szymborska
nga Wisława Szymborska
Wisława Szymborska (1923-2012) ishte një poete, eseiste dhe përkthyese polake. Në vitin 1996 ajo u shpall fituese e Çmimit Nobel për Letërsi.
Mundësitë - Wisława Szymborska
Më pëlqejnë filmat.
Më pëlqejnë macet.
Më pëlqejnë lisat përgjatë Vartës.
Më pëlqen më shumë Dikseni sesa Dostojevski.
Më pëlqen të jem dikush që pëlqen njerëzit
sesa dikush që do njerëzimin.
Më pëlqen të mbaj një gjilpërë me fill pranë, për çdo rast.
Më pëlqen ngjyra jeshile.
Më pëlqen të mos këmbëngul
që arsyeja i ka të gjitha fajet.
Më pëlqejnë përjashtimet.
Më pëlqen të largohem më herët.
Më pëlqen të flas me mjekët për diçka tjetër.
Më pëlqejnë ilustimet e vjetra me vijë të hollë.
Më pëlqen absurdi i të shkruarit poezi
sesa absurdi i të mos shkruarit poezi.
Sa i takon dashurisë, më pëlqejnë përvjetorët pa datë fikse
që mund të festohen çdo ditë.
Më pëlqejnë moralistët
që s'më premtojnë asgjë.
Më pëlqen mirësia dinake sesa ajo që është tepër besuese.
Më pëlqen bota veshur civile.
Më pëlqejnë vendet e pushtuara sesa ato pushtuese.
Më pëlqen të kem disa rezerva.
Më pëlqen skëterra e kaosit sesa skëterra e rendit.
Më pëlqejnë përrallat e Grimëve sesa faqet e para të gazetave.
Më pëlqejnë gjethet pa lule sesa lulet pa gjethe.
Më pëlqejnë qentë me bishta të paprerë.
Më pëlqejnë sytë e çelur, meqë të mitë janë të errët.
Më pëlqejnë sirtarët e tavolinës.
Më pëlqejnë shumë gjëra që nuk i kam përmendur këtu
ndaj shumë të tjerave që gjithsesi i kam lënë pa thënë.
Më pëlqejnë zerot e lira
sesa ato të rreshtuara pas një shifre.
Më pëlqen koha e insekteve sesa koha e yjeve.
Më pëlqen të trokas në dru.
Më pëlqen të mos pyes "edhe sa?" dhe "kur?".
Më pëlqen të kem parasysh mundësinë
që ekzistenca ka arsyen e vet të të qenurit.
Burimi: Wisława Szymborska “Nothing Twice”, 1997
përkthyer nga S. Baranczak & C. Cavanagh.
Shqip nga anglishtja: e.xhaja
Ndaje me miqtë 👇
Komente
Mund të lësh një koment këtu:
Pa komente ende!