Katër poezi nga Jorge Luis Borges
nga Jorge Luis Borges
Katër poezi nga Jorge Luis Borges
Çasti
Ku do të mbesin shekujt, ku ëndrra
e shpatave që tartarët ëndërruan
ku do të mbesin muret që i rrafshuan,
ku Pema e Adamit dhe ai Dru tjetër?
E tashmja është e vetme. Kujtesa
ngre kohën. Vazhdimësia dhe mashtrimi
janë e përditshmja e orës. Viti
s'është më pak i kot se historia e kotë.
Mes agimit dhe natës ka një humnerë
agonish, dritash, përkujdesjesh;
fytyra që shihet në pasqyrat e vjetruara
të natës nuk është e njëjta.
Kalimtarja është e zbehtë dhe e përjetëshme;
mos prit tjetër Qiell, as tjetër Skëterr.
Një trëndafil
Nga breznitë e trëndafilave
që në humbëtirën e kohës janë mpakur
dua që një të shpëtojë nga harresa,
një pa shenjë a dallim mes gjërave
që qenë. Fati më jep
këtë dhunti; të emërtoj për herë të parë
atë lule të heshtur, të fundit
trëndafil që Milltoni afroi në fytyrën e tij,
pa e parë. O ti, e kuqe a e verdhë
a e bardhë, trëndafil i një kopshti të zhbërë,
lëre pas, si me magji, të shkuarën tënde
të pafundme dhe në këtë varg shkëlqe,
ar, gjak a fildisht, a e errët si hije,
si në duart e tij, trëndafil i padukshëm.
Pendesa
Kam kryer më të rëndin mëkat
që një njeri mund të kryejë. Nuk kam qenë
i lumtur. Le të më tërheqin akullnajat e harresës
dhe të më humbin, të pamëshirshme.
Prindërit më sollën në jetë për lojën
e rrezikshme dhe të bukur të jetës,
për tokën, ujin, ajrin, zjarrin.
I zhgënjeva. S'qesh i lumtur. Përmbushur
nuk qe vullneti i tyre i ri. Mendja ime
iu përkushtua përpjekjeve simetrike
të artit, që thur kotësi.
Më lanë për trashëgimi guximin. Nuk qesh trim.
S'më braktis. Përherë është krah meje
hija e të qenurit i palumtur.
Arti poetik
Të sodisësh lumin mbërë prej kohe dhe uji
dhe të kujtosh që koha është lumë tjetër,
të dish se humbasim si lumi
dhe se fytyrat kalojnë si uji.
Të ndjesh se zgjimi është ëndërr tjetër
që ëndërron të mos ëndërrojë dhe se vdekja
që tremb mishin tonë është ajo vdekje
e përnatshme, që i thonë gjumë.
Të shohësh te një ditë a te një vit një simbol
të ditëve të njeriut e të viteve të tij,
ta shndërrosh fyerjen e viteve
në një muzikë, një murmurimë, një simbol,
të shohësh në vdekje gjumin, në perëndimi
një ar të trishtuar, e tillë është poezia
që është e pavdekshme dhe e varfër. Poezia
kthehet si agimi dhe perëndimi.
Nganjëherë, mbrëmjeve, një fytyrë
na vështron nga thellësia e një pasqyre;
arti duhet të jetë si ajo pasqyrë
që na zbulon fytyrën tonë.
Është si lumi i pafund
që kalon e mbetet dhe që është pasqyrë i të njëjtit
Heraklit i paqëndrueshëm, që është i njëjti
dhe është tjetër, si lumi i pafund.
Shqip: e.xhaja
Ndaje me miqtë 👇
Komente
Mund të lësh një koment këtu:
Pa komente ende!